Ju rrugaça e sallahâna,
Vagabonda shakllabâna,
Rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi,
Qi të mjerës moj Shqipni
Kthelltë hî i keni në mushkni,
Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
Po der kur, brè batakçi!
Brè coftina, kalbë mbi dhé! —
Der kur ju, tu’ u tallë npër né,
Do t’na qelbni fis e Atdhé?
Ah! Brè ju… nuk dij shka u kjoftë,
Se tash mâ jemi tue u njoftë,
Se kush jini e se shka jîni,
Se kah shkoni e se kah vîni,
Plang e shpi se kah i kîni
E sa pare u ban ju gjaku:
Se për ju, po, duhet laku,
Për me u vjêrrë — o kund m’do 'i shpàt!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
Me 'i gjysmë setre t’pa astar,
Lshuemun krahve kalavar
E me ‘i komçë t’njitne nën grykë:
Pantallonat me “gjyslykë”
Kto edhe lidhun me nji spagë:
Shtatit rreshkë e bâ saragë,
T’tanë gordec — e berdalec,
Pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,
Me ‘i “fillore” a nji iptadije,
Erz e shpirt qitun nën themër:
Turq a Slavë a Grek me zemër,
Falun barkun veç Shqipnisë,
Si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
Tuj u shitë ju për gjithë treg,
Sod na mbahi “Skanderbeg”,
E ngërdhucë, goditë, lëmue,
Rrue e qethë, pipirique,
Tash n’ “smoking” tash në “bon-jour”
Ju, qi djé s’kishi as ushkuer
Me lidhë brekët — me nderë me thânë —
M’sahan t’huej gjithmonë tue ngrânë,
Rrugën krejt na e keni xânë,
Kè na shkoni pash — e m’pash,
Edhe, besà, me “gulash”,
Me “afishe” e me “sultjash”,
Me “kjumshtuer” e me “ashure”,
“Kosha gjelash” si kubure,
“Tarator”, “pilaf me kos”,
“Mish me qepë” e “majdanos”,
“Shish qebab”, “brizholla viçi”,
“Kunguj t’mbushun”, “kuzuiçi”,
“Kabuni” — e “mualebi”,
Barku sod u rri’ ju kodër,
Kargatisë e bamun lodër:
Der sa ata burrat e dhéut,
Qi për jetë e nderë t’Atdhéut
Kanë rá n’luftë si shqipe t’leta,
Kanë shkrî gjâ e shpija t’veta,
Janë tue dekë rrugave ûnit,
Me iu dhimbtë gurit e drûnit:
Përse, po, kta matrahula,
Kta shqiptarë — shqiptarë kah ksula,
N’vend qi jú me u vû m’konop,
A se brinjt m’jau zbrû me shkop,
A, mos tjetër, me u ngushtue
Me xjerrë zhuri kund m’ndo’ i prrue,
Për me shtrue ndo 'i rrugë të shtetit
A me dlirë ndo 'i skele detit,
Lavjerrë buzësh, harrû si viça,
Kqyrin m’ju, si t’ishi ogiça,
Për me u prî udhës s’qytetnisë
E me i sjellë t’mârën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i prî kombit:
Ju, do pyka bîjtë prej llomit
Qi “shqiptarë” vedit i thoni,
Jo pse ju Shqipninë e doni,
Jo pse ju ndo 'i sênd kuptoni
Shka asht Atdheu e shka asht Lirija,
Shka asht Vllaznija e Parasija,
Përparimi e Qytetnija,
Por veç pse endè der më sot
Nji tyran s’po e gjêni dot,
Nën kambët’cillit ju me u shtrue,
Se un mâ tash jam regjë me jue,
E jau njof shpirtin der m’palc:
Pleh i ndytë, me u bartun m’shkalc
E, me u qitë jashta Shqipnije.